Wednesday, 7. October 2026
Futboll

Pedro i jep fund karrierës, një epokë e artë mbyllet

GS 07/10/2026 2 Min. Lesezeit

Një tjetër emër i madh i futbollit i ka dhënë fund aventurës në fushën e blertë.

Pedro Rodríguez, kampion bote me Spanjën dhe një prej figurave të njohura të Barcelonës, ka njoftuar pensionimin nga futbolli profesionist në moshën 39-vjeçare.

Ish-sulmuesi spanjoll e bëri të ditur vendimin përmes rrjeteve sociale, duke theksuar se kishte ardhur momenti për të nisur një kapitull të ri në jetën e tij.

Pedro kishte mbetur pa klub që nga 30 qershori, kur i përfundoi kontrata me Lazion, skuadrën e fundit të karrierës së tij.

“Është koha për një hap të ri. Largohem krenar, sepse e jetova ëndrrën time dhe jam mirënjohës ndaj të gjithëve që më ndihmuan ta bëja realitet”, shkroi ai.

Pedro largohet nga futbolli me një karrierë të jashtëzakonshme dhe një koleksion të madh trofesh.

Me Spanjën, ai fitoi Kupën e Botës në vitin 2010 dhe Kampionatin Evropian dy vite më vonë.

Me Barcelonën, triumfoi tri herë në Ligën e Kampionëve, fitoi pesë tituj të La Ligës, tri Superkupa të Evropës dhe tri Kupa të Mbretit.

Ai gjithashtu fitoi Ligën Premier me Chelsean dhe Ligën e Evropës.

Në total, Pedro regjistroi 841 paraqitje zyrtare dhe shënoi më shumë se 200 gola.

Edhe në fund të karrierës, ai vazhdoi të ishte vendimtar. Me Lazion realizoi 14 gola në sezonin 2024/25.

Tani, pas një karriere të mbushur me trofe dhe momente të paharrueshme, Pedro i thotë lamtumirë futbollit.

Një kapitull mbyllet, por emri i tij mbetet në historinë e futbollit spanjoll dhe evropian.

Teilen: