Me nostalgjinë për të shkuarën dhe shikimin nga e ardhmja, Roberto Baxho nuk ngurron të tregojë sulmuesit e preferuar të tij të të dyja epokave duke treguar edhe përjetimet e tij, nga pasioni për lojën deri te penalltia e humbur në finalen e Botërorit të 1994-ës.
“Kam luajtur gjithmonë me pasion të pafund, ai që të shtyn të shkosh përtej kufijve. Por vetëm përmes stërvitjes kam arritur atë që kam bërë në jetën time. A jam kampion? Unë kurrë nuk jam ndier sikur po bëja gjëra që të tjerët nuk mund t’i bënin. Gjithmonë jam përpjekur të argëtoj njerëzit”, ka thënë “bishtaleci hyjnor”, duke treguar episodin e penalltisë në SHBA. “Çfarë do të bëja ndryshe? Nuk do ta godisja lart atë penallti. Më ka përndjekur prej 20 vitesh, por kam mësuar të jetoj me të. Nëse mendoj se në moshën 18-vjeçare rrezikova të mos luaja më… Në Kaliforni ama nuk jam kthyer më, më mjaftoi ajo ditë. Edhe sepse nëse kthehesha do të duhet të shkoja të kërkoja topin”.
VAN BASTEN DHE LAUTARO
Talenti e njeh talentin dhe “Topi i Artë 1993” ka cilësuar tri herë fituesin e “Topit të Artë” Marko van Basten, si një ndër më të talentuarit e të gjitha kohërave. “Van Basten ishte një emër mbi të gjithë. Më kujtohet magjia e tij në Kampionatin Europian të vitit 1998, në Holandë-Rusi. Kishte diçka të pabesueshme në lëvizjet e tij. Shkova për të parë një ndeshje Torino-Milan për ta admiruar dhe për të parë se si lëvizte në fushë. Ai përfaqësonte bukurinë e vërtetë. Kur u ktheva në shtëpi mendova “tani kam parë gjithçka, është nga një tjetër planet”, tha italiani.
Në fund Baxho ka etiketuar Lautaro Martinezin si kampionin aktual: “Nëse do të më duhej të thosha një emër si kamponin e sotëm do të thosha Lautaro Martinez. E shikoja në Argjentinë me Rasing, në moshën 18-vjeçare ka shënuar tre gola në Kupën Libertadores dhe lihet në shtëpi për Botërorin. Çfarë bën ai? Thotë se ishte i kënaqur me atë që kishte bërë dhe u uron fat shokëve të skuadrës. Kampion! Mendoj se sot ai është simboli i Interit sepse përveçse shënon gol në çdo top, ai lufton, kthehet në mbrojtje. Ai është vërtet një lojtar i jashtëzakonshëm, i kudondodhur”.
PANORAMASPORT.AL