Friday, 7. August 2026
Sport

Pensionohet gjyqtari i njohur kosovar

GS 07/08/2026 2 Min. Lesezeit

Gjyqtari i njohur kosovar, Fatlum Berisha ka vendosur t’i jap fund karrierës së tij.

Lajmin e bëri të ditur vetë ai në faqen e tij zyrtare duke njoftuar pensionimin, pas 24 vitesh si gjyqtar aktiv.

“Pas 24 viteve në referimin e futbollit në Kosovë dhe që nga viti 2017 si Asistent Ndërkombëtar me stemën e FIFA-së, ka ardhur momenti të përfundoj karrierën time si refer aktiv. Ka qenë një rrugëtim i mbushur me sfida, sakrifica, krenari dhe emocione të paharrueshme.

Kam pasur nderin të jem pjesë e shumë ndeshjeve, të përfaqësoj futbollin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ta mbaj me krenari stemën e vendit tim. Nga zemra falënderoj të gjitha institucionet udhëheqëse të Federatës të Futbollit të Kosovës, nga fillimi i karierës time e deri më sot, për besimin dhe mbështetjen që më kanë dhënë. Mirënjohje të veçantë për të gjithë anëtarët e Komisionit të Referëve ndër vite, të cilët kanë qenë pjesë e rrugëtimit dhe zhvillimit tim profesional.

Falënderoj klubet, futbollistët, trajnerët, kolegët e mi referë e asistentë, delegatët, vëzhguesit, dhe mbi të gjitha tifozët, të cilët i japin kuptim futbollit. Çdo ndeshje, çdo sfidë dhe çdo përvojë ka qenë një mësim i çmuar për mua.

Do të jap gjithçka nga vetja, me të njëjtin pasion, përkushtim dhe përgjegjësi, për zhvillimin, edukimin dhe formimin e brezave të rinj të referëve. Besoj se investimi te të rinjtë është garancia më e madhe për një të ardhme më të mirë të futbollit tonë dhe do të jem gjithmonë pranë tyre për t’ua përcjellë përvojën, dijen dhe vlerat që kam fituar gjatë këtyre 24 viteve”, shkroi Berisha.

Teilen: