Ozuksel e Turqisë dhe Seo Changwan i Koresë së Jugut janë fituesit e etapës së dytë të Kupës së Botës në Pentathlonin Modern, që u zhvillua në Pazardzhik të Bullgarisë dhe që erdhi drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Tek vajzat prania e hungarezes Blanka Guzi, fituesja e etapës së parë të Kupës së Botës në Kajro, e bënte më të vështirë parashikimin për surpriza. Mirëpo pikërisht në vrapimin me lazer, turkja Ozuksel ka bërë diferencën, ndërsa ka marrë medaljen e artë me 1459 pikë. Medaliste e argjendtë Blanka Guzi e Hungarisë me 1451 pikë duke u ngjitur për herë të dytë në podium dhe medaliste e bronztë Elgindi e Egjiptit me 1446 pikë.
Tek djemtë janë përmbysur të gjitha parashikimet jo vetëm për medaljen e artë, që me shumë meritë e fitoi koreanojugori Seo Çanguan me 1594 pikë, por dhe për medaljen e argjendtë, që ishte për çekun Matej Lukesh po me 1594 pikë. Në vendin e tretë dhe medalist i bronztë francezi Roshat me 1592 pikë, që ngjitet për herë të dytë në podiumin e Kupës së Botës. Në xhiron e fundit të vrapimit është rrëzuar El Ashqar, që kështu ka humbur podiumin e medaljeve.
Me emrat e rinj të fituesve dhe me shumë surpriza ul siparin etapa e dytë e Kupës së Botës në Pentatlon Modern për t’ia lënë radhën etapës së tretë në Budapest më 9 deri më 13 qershor.