Kjo fundjavë në futbollin anglez sheh Pep Guardiolën përballë një prej trajnerëve që ai deklaron hapur se admiron më shumë, Roberto De Zerbin. Mançester Siti përballet me Brajtonin e italianit i cili ndoshta duhet të mbajë më shumë shënime për këtë sfidë, pasi spanjolli mendon se ai do të jetë pasardhësi i tij te fituesit në fuqi të Ligës së Kampioneve.
Në konferencë për shtyp sot Guardiola ka lavdëruar trajnerin italian për punën që po bën dhe futbollin ofensiv që po aplikon. Por ndërkohë, “The Telegraph” bën të ditur se trajneri spanjoll ka shkuar përtej kësaj.
Sipas medias angleze, pas ndeshjes së majit të kaluar mes dy skuadrave, të përfunduar me shifrat 1-1, Guardiola është ndalur të flasë me disa lojtarë të Brajton dhe aty u ka thënë me siguri se Roberto De Zerbi do të drejtojë Mançester Sitin pasi ai të largohet nga ky klub. Një “bekim” i mirëfilltë për të zgjedhur një pasardhës i cili padyshim do të ketë një detyrë shumë të vështirë për të zëvendësuar një emër të madh si Pep dhe ajo që ka arritur me klubin anglez të cilin e ktheu në superfuqinë e futbollit europian.
PANORAMASPORT.AL