Radio Televizioni i Malit të Zi, të enjten mbrëma ka bërë të ditur se shtetasit të Kosovës, E.S. (22) i është shqiptuar dënim me 10 ditë burgim për shkrimin e grafitit UÇK.
Po ashtu, atij i është shqiptuar edhe dënimi prej një vit ndalim hyrje në Mal të Zi.
Ai do ta fillojë vuajtjen e dënimit në burgun në UIKS, pasi është akuzuar se ka shkruar grafitin UÇK rreth orës 16:00 të enjten pasdite dhe ka pranuar veprën.
“Gjykata lëshoi një vendim pasi në procedurë u vërtetua se i pandehuri kishte shkruar grafite me ngjyrë të kuqe në një ndërtesë në Meljine, Komuna Herceg Novi, duke shkaktuar kështu dëme në atë ndërtesë, dhe të cilat veprime përbënin edhe kundërvajtje sipas nenit 18, paragrafi 1 i Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike”, ka bërë të ditur Gjykata për Kundërvajtjeve e Budvës.
Nënkampioni i Kosovës në basketboll, Bashkimi, ka reaguar për ndalesën që u është bërë tifozëve zyrtar të skuadrës, “Arpagjikëve”, në Mal të Zi, për grafitin UÇK.
Klubi prizrenas ka kërkuar lirimin e tyre dhe i ka bërë thirrje Ambasadës së Kosovës në Mal të Zi që të reagojë.
“Është e papranueshme që Arpagjikët të ndalohen në Mal të Zi vetëm për një grafit të shkruar UÇK. Ata nuk kanë kryer asnjë krim, e megjithatë po mbahen padrejtësisht. Solidariteti me ta është i pakushtëzuar! I bëjmë thirrje organeve përgjegjëse dhe veçanërisht Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mal të Zi për reagim dhe mbrojtje të tifo grupit Arpagjikët si qytetarë të Kosovës dhe të kujdesen që djemtë tanë të lirohen, të mos mbahen padrejtësisht, dhe të vazhdojnë rrugën për Kosovë!”, ka shkruar Bashkimi.
Televizioni malazez raporton se autobusi i tifozëve është duke u mbrojtur nga policia, pasi ka pasur indinjatë nga qytetarët e Herceg Novit që kanë tentuar të kundërpërgjigjen.
Në autobus ishin 48 tifozë e dy shoferë, të cilët po ktheheshin nga Italia, ku ishin në përkrahje të Bashkimit në ndeshjen kundër Reggia Emilia në kuadër të FIBA Europe Cup.


