Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Kreshnik Hajrizi, ishte ndër lojtarët më të spikatur në dy ndeshjet e play-off-it për Kampionatin Botëror, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në paraqitjet e ekipit.
26-vjeçari, i cili aktivizohet te Sioni, realizoi gol në fitoren spektakolare 4-3 ndaj Sllovakisë në Bratislavë, ndërsa u dallua edhe në përballjen e kthimit ndaj Turqisë, pavarësisht humbjes minimale 1-0 që i kushtoi Kosovës me eliminim.
Pas ndeshjeve, Hajrizi reagoi me një mesazh emocional, duke theksuar përkushtimin dhe sakrificën e skuadrës për fanellën dhe tifozët.
“Kosova ime, atë natë nuk ishte thjesht futboll… ishte një ndjenjë që të pushton krejt. Na dhe krenari, na dhe forcë, na dhe arsye për të luftuar deri në fund. Në fushë lamë gjithçka për ju, për flamurin, për çdo shqiptar kudo që është. Kjo është vetëm fillimi… sepse për Kosovën, ne japim gjithmonë më shumë”, ka shkruar Hajrizi.
Pavarësisht eliminimit, paraqitjet e Kombëtares së Kosovës dhe forma e treguar nga Hajrizi japin sinjale pozitive për të ardhmen, duke dëshmuar potencialin dhe shpirtin luftarak të ekipit. /Lajmi.net/