Interi është në kërkim të fitores së tretë radhazi në Ligën e Kampionëve, përballë është Union Saint-Gilloise, që vjen pas një humbjeje në shtëpi kundër Newcastle dhe me trajnerin e ri David Hubert pas largimit të Sebastien Pocognoli-t drejt Monakos. “Duhet të mësojmë nga ndeshja kundër Neëcastle. Duhet të jemi më konkurrues”, tha trajneri belg.
“Do të luajmë kundër një finalisti të Ligës së Kampionëve. Ata nuk kanë ndryshuar shumë, janë një ekip i mirëorganizuar. Kanë fituar gjashtë ndeshjet e fundit dhe janë të dytët në Serie A. Ky është kundërshtari më i vështirë që Union ka përballuar ndonjëherë në Evropë”.
Hubert pranon se nuk e njeh trajnerin e zikaltërve, Christian Chivu. “Do të duhet të luajmë një ndeshje të plotë. Secili do të duhet të japë gjithçka. Detajet do të bëjnë diferencën. Nuk e njoh trajnerin e tyre, Christian Chivu-n. I kam analizuar vetëm për një javë”, shpjegoi ai. “Ata po e ndërtojnë ekipin si vitin e kaluar. Kanë bërë mirë dhe vazhdojnë të bëjnë mirë. Mezi presim të luajmë. Por mbi të gjitha, po përqendrohemi te vetja, te mënyra se si mund t’i përballojmë”.