Pas Lionel Messi, Sergio Busquets e Jordi Alba, tashmë një tjetër ish-“yll” i kampionatit spanjoll të futbollit, La Liga do të kalojë në kampionatin amerikan, MLS dhe pritet që ky transferim të dhurojë spektakël në fushën e lojës.
Bëhet fjalë për ish-qendërmbrojtësin e Real Madrid e së fundmit, PSG, Sergio Ramos, i cili sipas raportimeve më të fundit nga mediat spanjolle është shumë pranë te “rivalët” e Inter Miami, Los Angeles FC.
Aty ku do të formojë dyshen e “ëndrrave” në mbrojtje, së bashku me “veteranin” italian, Giorgio Chiellini.
Kështu, në MLS pritet një ndeshje e “zjarrtë”, kur këto dy ekipe të përballen me njëra-tjetrën, teksa prej shumë kohësh, tifozëve duket u ka munguar një “rivalitet”, Messi-Ramos, në fushën e blertë, ashtu siç përballeshin dikur në “El Clasico”-n e famshëm, Real Madrid-Barcelona.