Gjykata braziliane krijoi një precedent dhe dënoi futbollistin legjendar Robinho edhe pse krimin e kreu në Itali dhe u bë personi i parë në historinë e Brazilit që shkon në burg për shkak të një dënimi në një vend tjetër.
Futbollisti që veshi 100 herë fanellën e Brazilit u dënua me nëntë vjet burg në Itali në vitin 2022, pasi më 22 janar 2013, së bashku me mikun e tij Ricardo Falco dhe katër persona të tjerë të paidentifikuar, dhunuan një shqiptare, e cila ishte duke festuar ditëlindjen e saj të 23-të në një klub nate në Milano, në klubin Sio Cafe.
Para dënimit, Robinho iku në Brazil për të shmangur dënimin, sepse ligjet braziliane nuk lejojnë ekstradimin e qytetarëve të tij.
Italia i kërkoi Brazilit vitin e kaluar që Robinho të vuante dënimin në atdheun e tij dhe dje (e mërkurë) Gjykata e Lartë Braziliane e Drejtësisë (STJ) mori një vendim që Robinho duhet të arrestohet dhe të vuajë dënimin në Brazil.
Kështu, ish-ylli i Real Madridit dhe Milanit do të bëhet i dënuari i parë që do të kryejë dënimin e tij në Brazil, edhe pse është shqiptuar jashtë vendit.
Nëntë nga 11 gjyqtarë votuan për dënimin, duke përmendur se nuk donin të shpërthente një skandal diplomatik midis Brazilit dhe Italisë.
Avokati i Robinhos, Jose Eduardo Alckmin, ka bërë një ankesë në Gjykatën e Lartë të Brazilit, dhe ka theksuar se do të kërkojë që i gjithë procesi të përsëritet pasi beson se Gjykata e Lartë e Drejtësisë ka shkelur sovranitetin e Brazilit me këtë vendim.