Qeveria lokale e shtetit Ogun në Nigeri ka dhënë një përditësim zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të boksierit Anthony Joshua, pas një aksidenti të rëndë automobilistik që la dy persona të vdekur.
Joshua, 36 vjeç, ishte një nga katër pasagjerët në një automjet tip xhip Lexus, i cili u përplas me një kamion të palëvizshëm rreth orës 11:00 të paradites të hënën, sipas kohës lokale.
Sipas autoriteteve, boksieri ka pësuar vetëm lëndime të lehta dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Ai është i vetëdijshëm dhe ka qenë në kontakt me familjen e tij pas ngjarjes.
“Pas vlerësimeve të detajuara klinike, mjekët kanë konfirmuar se Anthony Joshua dhe një pasagjer tjetër janë në gjendje të qëndrueshme dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje urgjente mjekësore. Ata do të vazhdojnë të monitorohen nga afër nga një ekip mjekësor”, thuhet në deklaratën e qeverisë së shtetit Ogun.
Raportimet bëjnë të ditur se dy pasagjerë të tjerë në automjet humbën jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa Joshua dhe një person tjetër u dërguan në spital për trajtim. Aksidenti ndodhi në autostradën Lagos-Ibadan, një nga rrugët më të rrezikshme në vend.
Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Automjeti është larguar nga vendngjarja, ndërsa po merren masa për të evakuuar edhe kamionin e përfshirë, me qëllim lehtësimin e procesit hetimor. /ATVLIVE.TV



