Piloti meksikan, i cili do të rikthehet këtë vit në Formula 1 me Cadillac, ka rrëfyer eksperiencën e tmerrshme me ish-skuadrën.
“Horner ma tha që në fillim se makina ishte projektuar për Max Verstappen. Nëse fitoja unë, ishte problem, nëse ecja ngadalë ishte më keq. Ishte e pamundur. Psikologu më shkonte 6000 sterlina për çdo seancë”, – ka thënë Sergio Perez.
Meksikani kthehet në pistë me Cadillac pas një viti larg timonit. Ai qëndroi 4 sezone te Red Bull, ku kishte një rol mbështetës për Max Verstappen. “Ishte një situatë e vështirë për t’u pranuar. Vetëm kush është i fortë mendërisht mund të rezistojë ndaj asaj situate”, – tregon Perez, duke zbuluar sekretet e skuderisë nga Milton Keynes.
Perez e mbylli aventurën me Red Bull në fund të 2024-ës, kur sezoni zhgënjyes i tij bëri që Helmut Marko të griste rinovimin dyvjeçar të firmosur pak muaj më parë. Klimën e vështirë në atë skuderi piloti meksikan e kishte kuptuar që në fillim. “Kisha vështirësi kur shkova, – thotë piloti për podcastin “Cracks”. – Nuk kisha rezultate dhe më këshilluan të shkoja te një psikolog. Shkova dhe pak muaj më pas më erdhi një faturë 6000 stërlina vetëm për një seancë. U thashë t’ia çonin Helmut Marko dhe e pagoi ai.
Ishtë vërtet një ferr. Në takimin e parë Horner më shpjegoi që makina ishte bërë për Max dhe se skuadra përdorte dy vetëm se ia impononte rregullorja. Të isha më i shpejtë se Max ishte problem, të isha më i ngadaltë ishte akoma më keq. Kur fitoja unë, klima ishte shumë e tensionuar”.

