Në prag të sfidës së Champions League mes Benfikës dhe Real Madrid, e përditshmja spanjolle “As” shkruan për një lëvizje të bujshme në stolin madrilen, rikthimin e mundshëm të José Mourinho në fund të këtij sezoni.
Presidenti Florentino Perez është në kërkim të një profili ekspert pas shkarkimit të Xabi Alonso dhe emërimit të përkohshëm të Arbeloa. Ai po vlerëson një operacion të stilit Ancelotti, duke shfrytëzuar klauzolën në kontratë që ka portugezi dhe që e lejon të lirohet nga Benfica pa penalitete 10 ditë pas përfundimit të kampionatit.
Edhe pse “Special One” i ka mohuar publikisht kontaktet e fundit, ai ka konfirmuar klauzolën e përmendur më sipër, miqësinë me presidentin Perez dhe lidhjen e përhershme që ka pasur më tifozët madrilenë, duke ushqyer zërat e rikthimit të bujshëm pak orë para ndeshjes në “Da Luz”, ku Mourinho kërkon të përsërisë suksesin që e çoi Real Madrid në Play-off.
Portugezi ka theksuar se një Real “i plagosur” është gjithmonë i rrezikshëm.