Real Madrid po planifikon një revolucion të madh për merkaton e verës që po afron. Pas një sezoni zhgënjyes pa trofe, zyrat në ‘Santiago Bernabeu’ po punojnë mbi një parim të qartë – askush nuk është i paprekshëm, përveç Kylian Mbappe
.
Ky vendim përfaqëson një ndryshim të madh në politikën sportive të klubit. Lojtarë që deri vonë konsideroheshin shtylla kryesore të projektit, si Jude Bellingham dhe Vinicius Junior, mund të largohen nëse vijnë oferta që përmbushin pritshmëritë financiare të klubit.
Figura e Mbappes është vendosur në qendër të projektit të ri madrilen. Sulmuesi francez shihet si themeli mbi të cilin do të ndërtohet skuadra në vitet e ardhshme, jo vetëm për shkak të performancës në fushë, por edhe për ndikimin e tij mediatik dhe komercial.

Klubi e konsideron atë lider të padiskutueshëm në dhomat e zhveshjes dhe lojtarin që bën diferencën në momentet vendimtare. Për këtë arsye, vazhdimësia e tij nuk vihet në diskutim, pavarësisht çdo oferte të mundshme.
Çfarë po ndodh te Real Madridi? Autobusi i klubit u nis dhe e la Viniciusin në “Allianz Arena” pas ndeshjes
Ndër emrat që po tërheqin më shumë vëmendje në treg janë pikërisht Bellingham dhe Vinicius. Të dy kanë reputacion të madh ndërkombëtar dhe kanë zgjuar interesin e disa klubeve të gatshme të investojnë shuma të konsiderueshme.
Në rastin e Bellingham, disa skuadra nga Anglia kanë shprehur interes për ta transferuar. Mosha e re, talenti dhe aftësia për të bërë diferencën e bëjnë atë një nga mesfushorët më të kërkuar në futbollin europian.
Nga ana tjetër, Vinicius mund të përfshihet në një nga transferimet më të bujshme të afatit kalimtar.
Nga Arabia Saudite raportohet për një ofertë që mund të arrijë deri në 150 milionë euro për anësorin brazilian, një lëvizje që do të ishte historike./Telegrafi