Sunday, 17. May 2026
Sport

Përfundon takimi i FIFA-s me Iranin, mësohet a do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror

GS 17/05/2026 2 Min. Lesezeit

Sekretari i Përgjithshëm i FIFA, Mattias Grafström, deklaroi se zhvilloi një takim konstruktiv dhe pozitiv me presidentin e Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, lidhur me pjesëmarrjen e Kombëtares së Iranit në Kupën e Botës që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

Kombëtarja iraniane pritet t’i zhvillojë të tre ndeshjet e fazës së grupeve në SHBA, megjithatë pjesëmarrja e saj u vu në pikëpyetje pas tensioneve politike dhe sulmeve të fundit ndaj Iranit në fund të shkurtit.

Situata u komplikua edhe më shumë pasi Tajit iu refuzua hyrja në Kanada në fillim të këtij muaji për shkak të lidhjeve të tij të dyshuara me IRGC-në, organizatë që klasifikohet si terroriste nga SHBA-ja dhe Kanadaja.

“Patëm një takim të shkëlqyer dhe konstruktiv me përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Iranit. Ne po punojmë së bashku dhe mezi presim t’i mirëpresim ata në Kupën e Botës”, deklaroi Grafström gjatë vizitës së tij në Stamboll.

Nga ana tjetër, Taj konfirmoi se takimi me FIFA-n ishte pozitiv dhe se organizata kishte ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura nga pala iraniane.

“Shpresoj që ekipi ynë kombëtar të shkojë në Kupën e Botës pa probleme dhe të arrijë rezultate të mira”, tha ai.

Grafström refuzoi të jepte detaje konkrete rreth çështjeve të vizave për lojtarët iranianë, por theksoi se FIFA po i trajton të gjitha aspektet e nevojshme.

Ndërkohë, Irani kishte kërkuar që ndeshjet e tij të zhvendoseshin në Meksikë, por presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka insistuar që takimet të zhvillohen në stadiumet e planifikuara fillimisht.

Kombëtarja e Iranit do të udhëtojë të hënën drejt Turqi për fazën përgatitore, ndërsa në fillim të qershorit do të zhvendoset në bazën stërvitore në Tucson.

Irani do ta nisë Kupën e Botës më 15 qershor në Los Angeles kundër Kombëtares së Zelandës së Re, ndërsa më pas do të përballet me Kombëtaren e Belgjikës dhe Kombëtaren e Egjiptit në Grupin G.

Teilen: