Kombëtarja e Kosovës në futboll po vazhdon përgatitjet me intensitet maksimal në prag të dy ndeshjeve miqësore kundër Çekisë dhe Andorrës.
“Dardanët” kanë zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore, e cila u karakterizua me ritëm të lartë dhe përkushtim të madh nga ana e futbollistëve. Përzgjedhësi Franco Foda u fokusua kryesisht në aspektin taktik dhe organizimin e lojës, duke synuar që skuadra të jetë sa më e përgatitur për sfidat e radhës.
Megjithatë, gjatë stërvitjes ka pasur edhe një shqetësim. Futbollisti Andi Hoti u detyrua ta ndërpresë seancën para kohe për shkak të një lëndimi në nyje. Ai do t’u nënshtrohet ekzaminimeve nga stafi mjekësor i Kombëtares, për të përcaktuar shkallën e lëndimit dhe kohën e rikuperimit.
Kosova pritet që në ditët në vijim të intensifikojë përgatitjet, me synimin për të paraqitur formë sa më të mirë në përballjet miqësore.