Zbulimet e fundit konfirmojnë se trajneri i Interit, Simone Inzaghi, kishte biseduar me Marco Ferdico, një ultras i Nerazzurrëve i arrestuar si pjesë e një operacioni të shkallës së lartë të hënën në mëngjes, në lidhje me sigurimin e biletave shtesë për finalen e Kupës së Italisë 2023.
Policia italiane të hënën në mëngjes konfirmoi se 19 persona, përfshirë shumë ultras të Interit dhe Milanit, janë arrestuar. Sipas La Gazzetta dello Sport, 16 janë burgosur ndërsa tre janë vendosur në arrest shtëpiak.
Hetimi filloi në fillim të shtatorit, pas vrasjes së Antonio Bellocco, një anëtar drejtues i grupit Curva Nord të Interit, i cili rezultoi në arrestimin e shokut të tij ultras të Nerazzurëve, Andrea Beretta.
Shumë prej të arrestuarve të hënën thuhet se kanë lidhje me familjet mafioze nga rajoni i Kalabrisë dhe kanë kryer krime të rënda, duke përfshirë zhvatjen e biletave dhe pijeve, si dhe raste të tjera të krimit të organizuar dhe metodave të lidhura me mafian në dhe rreth San Siros.
Siç raportohet nga La Gazzetta dello Sport, përgjimet kanë zbuluar se trajneri i Interit, Simone Inzaghi, kishte një bisedë me Marco Ferdico, i cili i kishte kërkuar trajnerit të siguronte bileta shtesë për finalen e Kupës së Italisë kundër Fiorentinës në maj 2023.
Për atë finale, vetëm 1000 bileta ishin vënë në dispozicion për Curva Nord. Ferdico kishte kërkuar që të viheshin në dispozicion edhe 200 shtesë.
Gjatë një bisede në telefon, Ferdico thuhet se kishte kërcënuar me grevë të tifozëve nëse nuk zgjidhej çështja e biletave.
Në përgjigje, Inzaghi tha se ai do të fliste me menaxherin e klubit Riccardo Ferri, si dhe me Beppe Marotta, CEO në atë kohë dhe tani president i klubit, si dhe me zëvendëspresidentin Javier Zanetti.
Përgjimet zbuluan se Inzaghi tha se do të fliste me drejtuesit e Nerazzurrëve dhe do të raportonte atë që ata thanë.
Ferdico më pas këmbënguli që Marotta kishte fjalën e fundit dhe kërkoi që Inzaghi të fliste me të drejtpërdrejt, personalisht për të zgjidhur çështjen e biletave.
/GazetaBlic Sport