Thursday, 23. April 2026
Sport

Përleshjet para ndeshjes Pisa-Verona, tifozëve u ndalohet udhëtimi në transferta për tre muaj

GS 22/10/2025 2 Min. Lesezeit

Ministri italian i Brendshëm, Matteo Piantedosi, ka vendosur të ndalojë për tre muaj udhëtimet e organizuara të tifozëve të Pisas dhe Veronës, pas përplasjeve të dhunshme të ndodhura të shtunën e kaluar në qytetin e Pisas, para ndeshjes mes dy skuadrave. Vendimi u mor pas raportit të paraqitur nga Observatori Kombëtar për Manifestimet Sportive dhe hyn në fuqi më 24 tetor, duke përfshirë edhe ndeshjen e ardhshme të Pisas në “San Siro”, kundër Milanit.

Sipas raportimit të ‘La Nazione’, pesë tifozë të Veronës janë arrestuar nga policia e Pisas në bashkëpunim me autoritetet e Veronës dhe Trentos. Ata janë identifikuar si pjesëmarrësit më aktivë në përleshjet me ultrasit e Pisa-s. Katër prej tyre janë banorë të provincës së Veronës dhe një nga ajo e Trentos. Të gjithë akuzohen për përfshirje në rrahje, posedim dhe përdorim të mjeteve të rrezikshme si shkopinj, mjete prerëse dhe fishekzjarre.

Katër të arrestuarit veronezë ndodhen në arrest shtëpie, ndërsa për tifozin nga Trento është urdhëruar gjykim i menjëhershëm. Policia sekuestroi gjatë operacionit maska, thika, doreza, shufra metalike, shkopinj, rripa dhe mjete piroteknike, prova të qarta të dhunës dhe përgatitjes për konfrontim nga të dyja grupet e tifozëve.

Teilen: