Robert Levandovski numëron 22 gola në La Liga, duke kryesuar i vetëm në garën e shënuesve të kampionatit spanjoll.Ishte “plakushi” polak që i dha udhë përmbysjes së çmendur nga të tijtë në duelin me Atletiko Madrid. Pas ndeshje, ai u shfaq mjaft i lumtur, por njëkohësisht pati kohë për të hedhur më shumë dritë rreth gabimeve në pjesën e parë dhe nisjen e së dytës.
“Nuk e nisëm mirë. Kishim shanset të shënonim, por nuk u treguam aq të ftohtë sa duhet para portës. Më pas, u bë më e vështirë pas golit të parë. Sapo nisi pjesa e dytë, ne morëm një tjetër goditje. Shumëkush mendoi se gjithçka kishte përfunduar, por ekipi e mbajti kokën lart dhe tregoi karakter. Po, e konsideroj fitore karakteri. Në minutat e fundit ekipi ishte më i zhdërvjellët në fazën ofesive dhe për pasojë erdhën edhe golat. Të fitosh në fushën e Atletikos, është shumë e vështirë, por ne ia dolëm me një formë të jashtëzakonshme dhe për këtë ekipi meriton vlerësime”, e mbylli Levandovski.
PANORAMASPORT.AL