“Bellingam është një lojtar jashtë serie”. Rrallë e dëgjon një trajner si Karlo Ançeloti që të lëshojë të tilla fjalë për një lojtar të ri.
Por me sa duket anglezi i “los blancos” i ka bërë shumë përshtypje trajnerit të tij. Një konstatim të tillë për Bellingamin, Ançeloti e bëri para se Reali të udhëtonte drejt Bilbaos për takimin e javës së parë në La Liga. E përsëriti edhe pas ndeshjes, ku anglezi ishte autor i njërit prej golave në “La Catedral”. Kanë mjaftuar disa ndeshje përgatitore para nisjes së sezonit dhe ndeshja e parë në La Liga për të kuptuar se kemi të bëjmë me një lojtar të thirrur për të shkruar faqe brilante në historinë e Realit të Madridit. Mënyra se si ai ka zbarkuar në klub, energjinë që ka sjellë, klasin e talentin i ka habitur të gjithë, për të thënë më mirë i ka magjepsur.
Sepse mesfushori nga Birmingemi ka çmontuar një numër klishesh në pak më shumë se një muaj. Si fillim, ai i problemeve të lojtarëve anglezë për të luajtur në Spanjë. Kështu thotë historia, përfshirë ata të Madridit me raste tipike dështimesh si Kaningam, Ouen dhe madje edhe Bekham. Është e vërtetë që Bellingam ka ardhur i sprovuar nga Dortmundi, por me vetëm 20 vjeç ai ka shumë për të mësuar dhe për të dhuruar.
Të gjithë në Birmingem deklarojnë se ka një personalitet të jashtëzakonshëm. Paraqitja e shkëlqyer në “San Mames” ishte vetëm një dëshmi e talentit të tij. Mediat spanjolle kanë nxituar ta quajnë një pasardhës të denjë të Zinedin Zidanit e Luka Modriçit. Risia e dytë që ky djalosh ka sjellë në Madrid është lidershipi. Ky virtyt është diçka që gatuhet me durim, është një ligj futbolli. Por duket se Bellingam është i gatshëm ta çmontojë edhe këtë klishe. Kushdo që mendonte se zgjedhja e numrit 5 (Zidan), do të ishte një barrë për anglezin, tashmë janë bindur se janë gabuar. Në moshën 20-vjeçare, aftësia drejtuese e anglezit është e mahnitshme.
E tregoi si fëmijë në skuadrën e vendlindjes, nuk iu drodhën këmbët kur u largua nga Gjermania, dhe dhuroi një ndeshje madhështore në “San Mamés”, ku tregoi se ai nuk ka frikë të pretendojë të bëjë liderin. Anglezi dërgon mesazhe se është i zgjedhur, një nga ata futbollistë të aftë për të asimiluar çdo ndryshim, për të thithur në një kohë të shkurtër idetë dhe kulturën e skuadrës ku bashkohet, për të mos u trembur nga asgjë.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL