Pezullimi për 3 muaj nga aktivitetet i tenistit Janik Siner ka qenë lajmi kryesor, që prej ditësh tashmë ka ngjallur shumë debate, lidhur me kohëzgjatjen e skualifikimit të numrit një të botës. Siner dhe “WADA” (Agjencia Ndërkombëtare e Antidopingut) gjetën një marrëveshje së bashku për pezullimin e tenistit me 3 muaj, për shkak të pozitivitetit të tij me substancën e ndaluar clostebol, në mars të vitit të kaluar.
Për shumëkënd Siner ka qenë i privilegjuar, në ndryshim nga rastet e sportistëve të tjerë që kanë patur situata të njëjta. Kjo pasi italiani ka marrë një ndëshkim minimal e të papërfillshëm, duke qenë se numri një i renditjes botërore nuk do të humbasë asnjë Grand Slam të rëndësishëm gjatë kësaj periudhe.
Gjithashtu edhe për faktin që ai nuk pati asnjë sanksion lidhur me rezultatet sportive të arritura në këtë periudhë. Megjithatë për të shuar këto zëra ka menduar vetë “WADA”, e cila dje ka dale në një komunikatë zyrtare duke ka shpjeguar edhe vendimin e marrë, për të skualifikuar Sinerin për vetëm 3 muaj.
“Rasti i Siner është një rast unik. Mbështetur në artikullin 10.8.2 të Kodit Botëror Antidoping, rasti i Siner nuk përfshihet në ato raste për të cilat mund të jepet një ndëshkim maksimal. Nëse ai do të dënohej me 1 vit pezullim, atëherë do të kishim të bënim me një vendimmarrje të ekzagjeruar”, shkruhet në reagimin e Agjencisë ndërkombëtare të Antidopingut. Një ngjarje që padyshim tronditi botën e tenisit dhe jo vetëm, si dhe një rast unik me një agjenci ndërkombëtare që justifikon një vendim të dhënë ndaj një sportisti elitar.
PANORAMASPORT.AL