Oscar Piastri me McLaren fitoi garën e Cmimit të Madh të Majemi në Formula 1, suksesi i katërt sezonal për pilotin australian në 6 gara. Një sukses që konsolidon pozitat e tij në krye të renditjes botërore.
Në vendin e dytë u rendit shoku i tij i skuadrës, britaniku Lando Norris, ndërkohë që në podium (i treti) u ngjit edhe George Russell me Mercedes. Dy pilotët e McLaren bënë një garë më vete, duke komanduar pa shumë probleme.
Një garë me emocione deri në mesin e saj, teksa u aplikua tri herë edhe “makina virtuale e sigurisë” për disa tërheqje.
Ndërsa gjysma e dytë e garës ishte më e “fjetur”, ku dëgjoheshin vetëm dy pilotët e Ferrari, të pakënaqur me njëri-tjetrin.
Në vendin e katërt doli Max Verstappen me Red Bull, që la pas Alexander Albon me Williams (i pesti). Në vendin e gjashtë doli Kimi Antonelli me Mercedes e pas tij dy makinat Ferrari, me Charles Leclerc e Lewis Hamilton (vendet 7-8).
Dy pilotët e “kokëkuqes” ia lanë dy herë vendin njëri-tjetrit, por kjo strategji nuk dha rezultat. Përkundrazi, krijoi mjaft polemika mes tyre dhe bokseve. Në zonën e pikëve edhe Carlos Sainz me Williams (i nënti) dhe Yuki Tsunoda me Red Bull (i dhjeti).