Piloti australian Oscar Piastri, në vitin e tij të tretë në Formula 1, ishte në garë për titullin kampion për pilotë. Ai, për një moment u duk shumë pranë titullit, por piloti i McLaren pati një rënie në rezultate.
Piastri pati luhatje në paraqitjen e tij, duke humbur pikë të rëndësishme pikërisht kur Max Verstappen vazhdoi të maksimizonte çdo rezultat të disponueshëm. Ndërsa Lando Norris gjeti momentin vendimtar për të fituar titullin.
Megjithatë, këta pilotë kanë të paktën dyfishin e përvojës së Piastri. Prandaj, australiani është i kënaqur me vitin 2025, një vit që ai e përcakton si një vit pjekurie dhe mësimi.
“Nëse do të më kishit thënë në fillim të vitit se do të arrija “pole position”, fitore dhe podiume, sigurisht që do të kisha qenë shumë i lumtur“, tha australiani.
“Mendoj se edhe në momente të vështira, mësova shumë për veten time dhe si të përmirësohem për të ardhmen. Ka pak zhgënjim në fund, por jam shumë krenar për sezonin që pata dhe se kam shumë mësime për të nxjerrë“, tha Piastri.
“Kur e krahasoj këtë sezon me dy vitet e mia të para në F1, e kuptoj se ky vit ka qenë shumë më i mirë se dy të parat. Edhe nëse rezultati përfundimtar nuk është pikërisht ai që doja, këtë sezon ia provova vetes se çfarë mund të arrij“, shtoi ai.
“Patjetër që mund të vazhdoj kështu në të ardhmen. Është vetëm viti im i tretë në F1. Shpresoj se kam ende shumë për të bërë, por mësimet që kam mësuar këtë vit, si në pistë ashtu edhe jashtë saj, vetëm sa do të më bëjnë më të fortë”, tha Piastri.


