Te McLaren duket se ka një krizë dhe panik pas garave të fundit, sidomos që kur skuadra siguroi titullin kampion për konstruktorë. Fitorja e Oscar Piastri e Lando Norris mungon prej kohësh, aq sa Max Verstappen ka hyrë në garë për titullin kampion bote për pilotë.
Australiani Oscar Piastri mbron kreun edhe pas garës së Amerikës, por ai e di mirë se duhet të reagojë, duke nisur nga gara e radhës në Meksikë. “Nuk ka kohë për pushim, duhet të reagojmë sa më shpejt”, tha kryesuesi i botërorit.
“Në Amerikë ishte një fundjavë e vështirë, pasi nuk arrita kurrë të gjeja ritmin tim. Baku kishte qenë shumë i vështirë, por në Austin pata fundjavën time më të keqe të sezonit. Gjithsesi, jam i bindur se ishte një incident i izoluar”, tha Piastri.
Duke folur për titullin, ai shtoi: “Tani është një betejë trepalëshe, por ne ende e kontrollojmë fatin tonë. Ne ende kemi makinën më të mirë dhe jemi të bindur se kemi një avantazh të mirë në disa nga pistat e ardhshme në kalendar.”


