Gara për titullin kampion në Itali duket se mbyllur dhe këtë e pranon edhe Stefano Piolit, trajneri i Milanit, që në prag të transfertës ndaj Lazios ka folur me superlativa për rrugëtimin që po bën Interi i Inzaghit.
“12 pikë nga vendi i dytë janë shumë në këtë pikë të sezonit dhe mendoj se diskutimi për titullin kampion është mbyllur. Interi po ecën me një ritëm të jashtëzakonshëm, pasi kishte një kalendar të vështirë, por e kaloi duke i fituar të gjitha ndeshjet. Nuk besoj se do të ketë më histori.
A mund ta fitojnë titullin në derbi? Nuk e di, nuk merrem me llogari matematikore. Jam i përqendruar te ndeshja ndaj Lazios”, u shpreh Pioli.
Milani është në pozita komode për zonën Champions, por nuk ka asgjë të sigurt dhe përballja ndaj një rivali direkt si Lazio vlen jo pak, pasi mund të konsolidojë edhe më shumë kuqezinjtë në renditje. Edhe këtu Pioli zgjedh t’i referohet Allegrit dhe llogarive të tij matematikore.
“Allegri është mjeshtër i llogarive dhe thotë se me 70 pikë e ke të sigurt zonën Champions. Megjithatë të mos shohim nga renditja, por t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë”, tha Pioli.
Tekniku kuqezi nuk ngurroi të lavdërojë edhe Rafael Leaon, i cili bëri një ndeshje mjaft të mirë ndaj Atalantës të dielën.