Stefano Pioli është kthyer sot përsëri në ambientet e klubit të Milanit, duke i dhënë fund pushimeve dhe duke filluar të mendojë për përgatitjen e sezonit të ri. Një sezon me shumë ndryshime, ku pritet një sinjal i rëndësishëm nga ekipi, sidomos tani që pronarët e rinj kanë vendosur të ndjekin një rrjedhë tjetër duke larguar Maldinin e Masarën.
Pioli ka kaluar ditët e fundit të pushimeve në Greqi dhe me t’u kthyer në Itali, ka zbarkuar në selinë e klubit ku është takuar me grupin përgjegjës për merkaton e kuqezinjve. Në qendër të bisedës që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë ka qenë plani për merkaton në ditët në vijim e padyshim edhe programimi i grumbullimit të ekipit për fazën përgatitore.
Pas firmës me Sportielo dhe Loftus-Çik, grupi i merkatos së Milanit ka finalizuar edhe largimin e Tonali, ndërsa tani pret të firmosë me Luka Romeron e larguar nga Lacio. Ndërkohë, trajneri është njoftuar për statusin e bisedimeve rreth lojtarëve të tjerë, si atyre që pritet të largohen nga kuqezinjtë, ashtu edhe të atyre që janë në diskutime për të zbarkuar në Milano.
PANORAMASPORT.AL