Milani e kishte kërkuar Romelu Lukakun në fillimin e merkatos së verës. Praktikisht rreth një muaj më parë. Zërat në atë kohë u shuan me shpejtësinë me të cilën u stisën. Por me sa duket ka një dozë vërtetësie.
Sipas “Calciomercato.it”, kur dukej se belgu, do të qëndronte te Çelsi pas “tradhtisë” ndaj Interit, situata duket e prirur për të ndryshuar. Ai mund të rikthehet në Milanon, por në anën kuqezi të qyteti.
I njëjti burim konfirmon se “Big Rom” flirton ende me Juventusin, teksa hipoteza e vetme konkrete është Al-Hilali, të cilin ai e konsideron ende si një pistë alternative. Sidoqoftë, kthesa rreth Romelu Lukakut ndoshta nuk kanë mbaruar.
Belgu deri pak ditë më parë dukej se do të rikthehej tek Interi, por hyrja e Juventusit në skenë ndryshon gjithçka. Dhe tani, surpriza të tjera mund të duken në horizont e të kenë ngjyrim kuqezi.
SITUATA E SULMUESIT – Për Çelsin është i tepërt, ndërsa tek Interi nuk e pranojnë më pas dy aventurave e po aq lamtumirave. Juvja ka halle të tjera, pasi përpara se të blejë, duhet të shesë njërin mes Vlahoviçit dhe Kiezës.
Në këto kushte “djalli” mund të ishte më shumë se një hipotezë. Drejtuesit e Milanit kanë një përvojë të mirë nga bisedimet me Çelsin, ndaj për Lukakun mund të marrin një çmim me ulje të konsiderueshme.
Flitet për 40-50 milionë euro, teksa vështirësia do të ishte te rroga e lojtarit, i cili në sezonin e fundit arkëtonte 9 milionë euro në sezon. Nga fundi i merkatos na ndajnë 40 ditë, ndaj Pioli mund ta gjejë vetën me Lukakun si “pykë” për ta alternuar me Zhirunë.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL