Tuesday, 26. May 2026
Sport

“Pirati” me mesazh për tifozët e Mallorcas

GS 26/05/2026 2 Min. Lesezeit

Vedat Muriqi u është drejtuar tifozëve të Mallorcas përmes një postimi në rrjetet sociale, të martën.

Muriqi shkëlqeu me plot 23 gola, por Mallorca nuk ia doli të sigurojë qëndrimin në La Liga.

Sulmuesi 32-vjeçar ka shkruar se fjalët janë të vështira, por ka shtuar se tifozët ishin ata që i jepnin forcë në çdo ndeshje.

“Sepse dhimbjen dhe trishtimin që ndieni, e ndiej edhe unë thellë në zemrën time. Jemi gëzuar së bashku, kemi vuajtur së bashku. Sa herë që dilja në fusha, ndieja përgjegjësinë për të mbrojtur këtë fanellë dhe të ndieja mbështetjen tuaj më jepte gjithnjë forcë”, ka shkruar kosovari.

Ai beson në ngritjen e Mallorcas, skuadër që sezonin tjetër do të garojë në kategorinë e dytë dhe më të cilën ka kontratë deri në vitin 2029.

“Sot jemi të trishtuar, të lënduar. Por kjo stemë do të kthehet në vendin e merituar. Sepse historia e Mallorcas nuk është shkruar kurrë me dorëzim. Faleminderit të gjithëve që ishin me ne në çdo hap të rrugëtimit”, ka shkruar Muriqi.

Ka gjasa që “Pirati” të largohet nga Mallorca këtë verë, pasi shumë skuadra kanë shprehur interesim për shërbimet e tij.

Teilen: