Juventusi është gati të pranojë ofertat për Dushan Vlahoviç dhe radha e pretendentëve për sulmuesin serb sa vjen e shtohet. Përtej interesimit nga Anglia për futbollistin, apo edhe të PSG-së që e kishte futur në listën e prioriteteve, tani në skenë ka dalë një emër i madh si Real Madrid.
Sipas “Sportmediaset”, madrilenët nuk janë të sigurt se mund të firmosin me Mbape që në verën e këtij viti ndaj po kërkojnë një sulmues qendre cilësor. Emri i piketuar është ai i Vlahoviç dhe raportohet se ka qenë vetë trajneri Karlo Ançeloti ai i cili ka kontaktuar me lojtarin në orët e kaluara, duke i shprehur vlerësimin që ka për të në eventualitetin e një transferimi të mundshëm.
Reali mendon për huazimin me të drejtë blerje të lojtarit, por Juventusi e largon futbollistin vetëm përfundimisht, pasi nuk do të ketë më telashe të tjera në këtë drejtim si dhe do të rregullojë bilancet financiare. Palët mund të takohen më datë 3 gusht, kur dy ekipet do të përballen në një turne në SHBA dhe atje, mund të diskutojnë edhe këtë lëvizje të mundshme që do të ishte e rëndësishme për të dy ekipet.
PANORAMASPORT.AL