UEFA bëhet gati për disa muaj të turbullt, pasi është përfshirë në një tjetër luftë të brendshme për pushtet. Mediat britanike raportojnë se brenda Komiteti Ekzekutiv të saj, ka persona që kanë dalë kundër presidentit Aleksander Çeferin, pasi kërkojnë që ai të mos rikandidojë në fund të mandatit të tij.
“Daily Mail” e ka cilësuar atë që po ndodh në UEFA si një “luftë civile”, pasi është mësuar se Aleksander Çeferin dhe mbështetësit e tij në Komitetin Ekzekutiv, janë gati të çojnë për miratim në Kongres amendimet në statut, në mënyrë që presidenti aktual të mund të kandidojë për një mandat të katërt në vitin 2027.
Statuti i UEFA-s e ka të përcaktuar që të gjithë drejtuesit e lartë mund të qëndrojnë në detyrë për vetëm 3 mandate, vendim i propozuar në paketën e reformave nga vetë slloveni sapo erdhi në detyrë. Por Çeferin dhe mbështetësit e tij, kanë bërë propozim tani që statuti të amendohet për të cilësuar efektiv këtë rregull vetëm pas datës që miratimit të tij, duke përjashtuar të gjitha mandatet e fituara më parë. Kështu, mandati i fituar në vitin 2023 nga Çeferin do të ishte i dyti dhe ai do të mund të kandidonte për një të tretë deri në vitin 2031.
Ish-shefi ekzekutiv i Mançester Junajtid, Devid Gill, aktualisht zëvendëspresident dhe arkëtar i UEFA-s, është personi i cili ka kundërshtuar publikisht këtë plan në mbledhjen e javës së kaluar të Komitetit Ekzekutiv në Hamburg. Ai raportohet se e kishte cilësuar këtë propozim të grupit që mbështet Çeferin si anti-demokratik dhe se po kthente UEFA-n në vitet e errëta të Platini apo në modelin e FIFA-s së Blater.
Raportohet se Gill dhe anëtarë të tjerë të Komitetit Ekzekutiv janë kundër këtij propozimi dhe ndonëse paketa është bërë gati për t’u dërguar për shqyrtim federatave anëtare, do të nisin një fushatë të mirëfilltë kundër saj, para Kongresit të UEFA-s në shkurt, ku Çeferin do të ketë nevojë për 2/3 e votave për të ndryshuar statutin në favor të tij.
PANORAMASPORT.AL