Pas 5 javëve të para, Seria A njeh vetëm dy skuadra të pathyeshme, kryesuesit e Interit dhe Leçen, ekipi surprizë i këtij sezoni, i cili do t’i bëjë vizitë Juventusit sot në mbrëmje në Torino, duke qenë edhe përpara bardhezinjve në renditje.
Pas 3 fitoresh dhe 2 barazimesh, Leçe po ëndërron diçka të madhe, madje në Itali kanë nisur që të fantazojnë se ata mund të bëjnë një surprizë si Lestëri në sezonin 2015-2016 në Angli. Por ëndërrimtarët i zgjon nga gjumi menjëherë trajneri Roberto D’Aversa:
“Kur na krahasoni me Lestërin e mendoni të paktën buxhetin që na ndan të dyve. Por jo, edhe sikur të notonim në ato shifra sërish kjo edhe si fantazi nuk lejohet se ne mund të dalim kampionë.
Le të mendojmë më mirë për sfidën me Juven dhe si do të përballojmë një skuadër, e cila do të jetë e tërbuar pas humbjes me Sasuolon. Ata do të na sulmojnë që në fillim me agresivitet, kështu që këto forca që shpenzojmë për të parë ëndrra le t’i kursejmë dhe t’i vëmë në funksion kundër Juventusit”, deklaroi D’Aversa.
PANORAMASPORT.AL