Sulmuesi i Kombëtares, Arbër Hoxha, po spikat te Dinamo Zagrebit këtë periudhë. Në ndeshjen e fundit kundër Slaven Belupos, e cila përfundoi 4-1 në favor të Dinamos, Hoxha luajti në pjesën e parë dhe shkëlqeu me paraqitjen e tij.
Sulmuesi shqiptar ka shënuar dy gola në kampionat dhe ka dhënë dy asistime të tjera, ndërsa një nga pasimet vendimtare ishte në Ligën e Europës. Për performancën e tij në këtë ndeshje, platforma Sofascore e vlerësoi me notën 8.5, duke e përfshirë gjithashtu në formacionin e javës në Kroaci.
Hoxha, i lindur në Gjermani, u bashkua me Dinamon e Zagrebit në janar 2024, dhe këtë edicion po ia del të dallohet mes shokëve të skuadrës. Ky fillim i shkëlqyer i sezonit tregon se Arbër Hoxha është bërë një prej lojtarëve kyç të Dinamos dhe një figurë e rëndësishme në sulmin e ekipit.