Prej javësh ishte zyrtarizuar se do të ishte ai trajneri i Çelsit, por Mauricio Poçetino e ka pasur dje ditën e tij të parë në krye të bluve, me të cilët ka firmosur deri në 2025-ën me opsion rinovimi edhe për një vit.
Argjentinasi mbërriti në “Cobham” ku do të nisë punën gjatë kësaj jave për të vazhduar më pas me turneun e fazës përgatitore në SHBA dhe u prezantua më pas nëpërmjet një interviste për kanalin e klubit, ku tregoi pse pranoi projektin e londinezëve dhe synimet e tij gjatë kësaj aventure.
EKSPERIENCA – “Për mua, është një kënaqësi dhe nder të jem trajner i Çelsit. Është një nga klubet më të mira në botë dhe sigurisht që e kisha të lehtë të merrja vendimin për t’u transferuar këtu. Ne do të punojmë shumë, do të luajmë në një mënyrë që tifozët mund të shijojnë futbollin dhe historia e Çelsit është të fitojë, por është e rëndësishme është edhe mënyra si mbërrijnë ato fitore. Në 10, 12, 15 vitet e fundit, Çelsi është skuadra më e madhe në Angli. E njoh shumë mirë Premier Ligën dhe e di çfarë do të thotë kultura e Çelsit”.
SYNIMET – “Ka gjithmonë ulje-ngritje në historinë e futbollit, por Çelsi është nga ato klube që nuk mund t’ia lejojë vetes uljengritjet. Do t’i sjellim atë që i duhet klubit për të qenë në krye, sepse këtë e dikton historia. Jemi të entuziazmuar të punojmë me një ekip shumë të ri, me një qasje ndryshe nga e kaluara. Por unë mendoj se ne të gjithë duhet të kuptojmë se duhet të punojmë vërtet shumë për të mbërritur suksesin”.
SKUADRA – “Nëse jemi të gjithë bashkë, do të jemi shumë të fortë. Ne kemi një skuadër të pabesueshme dhe me siguri do të sjellim të tjerë lojtarë me përkushtim që duan të jenë gjithashtu pjesë e saj. Nuk është e mbyllur, skuadra dhe klubi po bëjnë një punë fantastike për të kompletuar skuadrën. Ne kemi nevojë për liderë, jo për ndjekës, dhe do të punojmë për të marrë më të mirën nga secili prej lojtarëve tanë”.
PANORAMASPORT.AL