Rreth 50 sportistë të njohur, të mbledhur nga organizata Nujum Sports, kanë firmosur një apel të publikuar në platformën “Athletes 4 Peace”, duke kërkuar përjashtimin e menjëhershëm të Izraelit nga të gjitha kompeticionet sportive.
Sipas dokumentit, kërkesa do të mbetet në fuqi “derisa Izraeli të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të ndalë masakrën e civilëve dhe urinë e përhapur në Gaza”. Në tekst theksohet se organizatat sportive “kanë detyrimin të ndërmarrin masa kundër ekipeve që përfaqësojnë një shtet që, sipas një komisioni të OKB-së, po kryen gjenocid ndaj palestinezëve”.
Apeli nënvizon se kjo nuk është një çështje politike, por një kërkesë për drejtësi, humanitet dhe mbrojtje të vlerave që sporti pretendon se përfaqëson. “Sporti nuk mund të lejojë që një shtet të pastrojë imazhin e tij nga aktet e paligjshme dhe çnjerëzore përmes garave ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Ndër firmëtarët spikasin emra të njohur të futbollit si Paul Pogba, mesfushor i Monacos, dhe ‘ish’-yll i Juventusit, si dhe Hakim Ziyech, ish-lojtari i Chelsea-t, të cilët kanë shprehur hapur mbështetjen për këtë nismë.