Paul Pogba është larguar nga Monaco, pasi klubi francez ka ndërprerë kontratën me mesfushorin vetëm një sezon pas transferimit të tij.
Pogba, kampion bote me Francën në vitin 2018, kishte kontratë me Monacon deri në qershor të vitit 2027, por palët kanë vendosur ta mbyllin bashkëpunimin më herët.
Sipas klubit francez, objektivat e vendosura në momentin e marrëveshjes janë arritur vetëm “pjesërisht”.
“Përfaqësimi i këtij klubi dhe principatës ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Monaco është një klub i jashtëzakonshëm dhe, edhe pse nuk luajta aq shumë ndeshje sa shpresoja, do të jem gjithmonë mirënjohës për mundësinë që pata për t’i mbrojtur ngjyrat e tij”, deklaroi Pogba.
Francezi iu bashkua Monacos verën e kaluar, pasi kishte marrë leje për t’u rikthyer në futbollin profesionist pas pezullimit për doping, të cilin e kishte marrë gjatë kohës sa ishte pjesë e Juventusit.
Pogba kishte insistuar se bëhej fjalë për një gabim, ndërsa Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e uli dënimin e tij nga katër vjet në 18 muaj. Ai u lejua të rikthehej në futboll në mars të vitit 2025.
Tashmë, Pogba po tërheq interesim nga Major League Soccer në Shtetet e Bashkuara. Ai është lidhur më herët me DC United dhe Inter Miamin.
Drejtori ekzekutiv i Monacos, Thiago Scuro, tha se rikthimi i Pogbas në klub ishte parë si një projekt ambicioz.
“Kur Pogba u bashkua me ne, e shpjeguam se ky ishte një sfidë e madhe, e guximshme dhe ambicioze. Edhe pse rezultati nuk është ai që shpresonim, kjo nuk duhet ta zbehë entuziazmin që shoqëroi rikthimin e tij në futbollin e klubeve, si dhe faktin se Paul arriti të rikthehej në fushë dhe në futbollin profesionist gjatë kësaj periudhe. I urojmë Paulit gjithë të mirat në të ardhmen”, përfundoi ai.
33-vjeçari zhvilloi vetëm gjashtë ndeshje për Monacon gjatë sezonit të kaluar, ndërsa në pesë prej tyre u aktivizua si zëvendësues.