Polonia është stërvitur sot në “Air Albania” duke i dhënë fund përgatitjeve për ndeshjen ndaj Shqipërisë që luan nesër në të njëjtin stadium. Mediat polake kanë mbetur të çuditura kur kanë parë se në stërvitje mungonte një nga mesfushorët e grumbulluar nga trajneri Fernando Santos, i cili për më tepër nuk kishte udhëtuar drejt Tiranës.
Lojtari 19-vjeçar i Vitese, Kacper Kozlovski, ishte pjesë e grumbullimit të Polonisë për ndeshjet e shtatorit dhe ishte stërvitur rregullisht me skuadrën deri dje. Por vetëm në stërvitjen në stadium, mediat polake kanë mësuar se futbollisti në fjalë nuk kishte udhëtuar drejt Tiranës.
Stafi i përfaqësues polake bëri të ditur se Kozlovski kishte kaluar një gjendje gripale, ndaj ishte vendosur që të qëndronte në Poloni dhe të rikuperohej pasi nuk ishte në gjendje të luante në ndeshjen e të dielës.
Një situatë të ngjashme e ka vuajtur edhe Kombëtarja shqiptare me Qazim Laçin i cili humbi të dy ndeshjet e kuqezinjve për shkak të një gjendje gripale.
PANORAMASPORT.AL