Wednesday, 14. October 2026
Sport

Policia pezullon 5 efektivë pas dëmtimit të 19-vjeçarit gjatë protestës, nis hetimi disiplinor

GS 14/10/2026 4 Min. Lesezeit

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra katër punonjës policie dhe shefin e Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K., pas dëmtimit të 19-vjeçarit L. B.gjatë protestës. Përmes një reagimi zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të të riut nga punonjësit e policisë.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndaj pesë punonjësve është vendosur pezullimi i menjëhershëm nga detyra, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor. Gjithashtu, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e kësaj drejtorie, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës.

Policia thekson se çdo punonjës që ka shkelur procedurat ose ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi. Paralelisht me hetimin disiplinor, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave.

Në reagimin e saj, Policia e Shtetit ndalet edhe te situata e krijuar në kryeqytet, duke dënuar aktet e dhunës, dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës.

Sipas Policisë, këto akte nuk kanë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë. Në fund, Policia e Shtetit u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë veprimet e tyre, duke paralajmëruar se do të përballen me forcën e ligjit. Gjithashtu, qytetarëve u kërkohet të distancohen nga personat e dhunshëm, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre.

Njoftimi i plotë:

Në lidhje me videon e publikuar në media, ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë.

Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.

Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.

Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.

Policia e Shtetit u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

Gjithashtu, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, për të garantuar sigurinë e tyre.

/rtsh.al/

Teilen: