Portieri Diant Ramaj nuk do të largohet këtë verë nga Ajaxi, pasi do të mbetet pjesë e ekipit nga Amsterdami të paktën edhe për edicionin e ardhshëm.
Mediumet holandeze kanë raportuar të enjten se tek Ajaxi kanë vendosur ta mbajnë portierin 22-vjeçar përkundër ndryshimeve të mëdha që do t’i bëjnë këtë verë.
Ramaj vlerësohet lart dhe njëri prej lojtarëve të rëndësishëm për edicionin e ardhshëm tek Ajaxi pas paraqitjeve të mira që ka treguar këtë edicion.
Madje, mësohet se Ajaxi tashmë ka refuzuar ofertat mbi 10 milionë euro për portierin Ramaj, i cili pëlqehet nga skuadrat e Premier Leagues, përfshirë këtu Arsenalin, Chelsean dhe Manchester Unitedin.
Ai iu bashkua Ajaxit verën e shkuar dhe ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2028.
Këtë edicion, Ramaj ka regjistruar 33 paraqitje për Ajaxin në të gjitha garat, ndërsa më herët karrierë ka bërë edhe tek Eintracht Frankfurti e Heidenheimi.