UEFA nuk ka qenë aspak diplomatike me gjuhën e përdorur në njoftimin e dhënë për anullimin e ndeshjes mes Argjentinës dhe Spanjës. Siç dihet kampionia e botës do të sfidonte atë të Europës në 27 mars në stadiumin e Lusail, në Katar, por përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme ka detyruar organizatorët që të kërkojnë një tjetër vend për mbajtjen e “Finalissima”-s.
Në këtë pikë UEFA ka qenë e ashpër me Federatën Argjentinase të Futbollit, e cila duket se ka hedhur poshtë të gjitha propozimet e bëra nga “qeveria” e futbollit të kontinentit tonë.
“Argjentina propozoi që kjo ndeshje të luhej pas Botërorit, por Spanja nuk kishte asnjë datë të lirë në dispozicion. Më pas Argjentina vendosi kusht që kjo ndeshje të luhej vetëm më datë 31 mars, por edhe kjo ditë nuk mundësonte zhvillimin e këtij takimi”, thuhej në njoftimin e UEFA-s.
Sipas disa medieve të ndryshme refuzimi i bërë nga Argjentina kishte një arsye pas. Komisari teknik i kombëtares kampione e Botës i trembej faktit se do të përballej me një rivale, e cila në herëbn e fundit që ishin ndeshur kishte mposhtur tre herë kampionët e botës me shifrat 6-1. Opsionet e vendosura nga UEFA ishin të shumta. U propozua që kjo ndeshje të luhej në Madrid në “Santiago Bernabeu”. Më pas u propozua që kjo finale të luhej me dy takime dhe Argjentinës iu ofrua faktori fushë në favor duke u caktuar ndeshja e kthimit në Buenos Aires. Madje edhe Katari ishte gati që të paguante shifra të mëdha që kjo ndeshje të shtyhej për një tjetër datë dhe të luhej në Lusail. Të gjitha këto alternativa u refuzuan nga Federata Argjentina e Futbollit. Jo më kot edhe UEFA në njoftimin e saj falenderonte vetëm Real-in, Federatën Spanjolle të Futbolliut dhe shtetin e Katarit për bashkëpunimin e treguar.