Pas një sezoni të dobët, ku u huazua te Arsenali pa lënë gjurmë, Raheem Sterling është sërish jashtë planeve të trajnerit Enzo Maresca për sezonin 2025/26. Sulmuesi anglez, që përfiton mbi 370 mijë euro në javë, duke u renditur mes lojtarëve më të paguar në Premier League, pas emrave si Haaland, Salah, Van Dijk e Casemiro, nuk ka gjetur një klub të ri gjatë verës. Në total, paga e tij arrin rreth 19.4 milionë euro në vit, shifër që ka penguar çdo marrëveshje.
Gjatë merkatos, emri i Sterling-ut u lidh me disa klube angleze, mes tyre Fulham i Marco Silvës, por negociatat nuk u konkretizuan. Sipas ‘The Athletic’, në garë hyri edhe një surprizë e madhe: Bayern Munich, i drejtuar nga Vincent Kompany, ish-shok skuadre i Sterling-ut te Manchester City.
Megjithatë, 30-vjeçari refuzoi propozimin e bavarezëve. Arsyeja kryesore lidhej me jetën personale, pasi nuk dëshironte të largohej nga Anglia dhe familja, edhe nëse bëhej fjalë për një huazim deri në fund të sezonit. Një tjetër pengesë ishte mungesa e garancive për aktivizim të rregullt, si dhe kërkesat e larta financiare.
Në fund, Bayerni u tërhoq dhe firmosi me Nicolas Jackson, ndërsa Sterling do të vazhdojë të stërvitet i ndarë nga pjesa tjetër e skuadrës së Chelsea-t, duke mbetur një prej “të padëshiruarve” të Maresca-s.