Ndërsa sezoni futbollistik është drejt fundit dhe vetëm 90 minuta ndajnë ekipet nga përmbyllja e kampionatit, Napoli dhe Juventusi janë përfshirë në një tjetër garë, këtë herë jashtë fushës, ajo për trajnerët dhe për goditjet në merkato. Pas përpjekjes për të siguruar objektivat respektive në këtë fundsezoni, klubet kanë nisur prej kohësh planifikimin e së ardhmes, dhe sipas zërave më të fundit, rrugët e tyre mund të kryqëzohen në mënyrë të bujshme.
Sipas gazetarit të njohur italian Alfredo Pedula, javën e kaluar, në kuadër të turneut të tenisit “Internazionali d’Italia” në Romë, ka ndodhur një takim i pazakontë mes presidentit të Napolit, Aurelio de Laurentis, dhe trajnerit të larguar së fundmi nga Juventusi, Masimiliano Alegri. Ky i fundit, një emër që prej kohësh ka qenë në orbitën e presidentit, mund të rikthehet fuqishëm në skenë në rast se Antonio Konte largohet para kohe nga Napoli, pavarësisht kontratës që e lidh me klubin deri në vitin 2027.
Alegri shihet si një profil ideal nga De Laurentis, jo vetëm për përvojën e tij në Serinë A dhe në arenën europiane, por edhe për natyrën e tij ku ndryshe nga Konte, Alegri është më i prirur të punojë me burime të kufizuara dhe nuk kërkon investime të mëdha në merkato. Një cilësi që mund të rezultojë vendimtare, veçanërisht duke pasur parasysh se Napoli sezonin tjetër do të garojë në katër fronte, Seria A, Liga e Kampioneve, Kupa e Italsë dhe Superkupa italiane.
JUVENTUSI- Nga ana tjetër, Juventusi ka hyrë në një fazë transformimi të thellë. Në Torino pritet me interes të madh zhvillimi i takimit përfundimtar mes Kontes dhe De Laurentis, që do të vendosë shumë për të ardhmen e stolit napoletan. Një verë e zjarrtë po afron dhe Napoli me Juventusin janë gati ta ndezin të parët. Bardhezinjtë po presin që Konte të lirohet, për t’u hedhur menjëherë në sulm në mënyrë që ta rikthejnë në skuadër. A do të ndodhë kjo? Duhet të presim edhe pak.
PANORAMASPORT.AL