Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti ka folur për mediat pas suksesit të arritur në Vigo.
Ndryshe nga dy transfertat e para ku Reali ka dominuar kundërshtarin, në Vigo ka qenë një histori tjetër. “los blancos” kanë djersitur shumë pë rtë mbërritur të tri pikët që mbajnë firmën dhe vulën e Xhud Bellingam. Për anglezin ky ishte goli i katërt radhazi në La liga në tri takimet e para.
“Ka qenë një ndeshje e vështirë. Selta ka bërë një paraqitje mjaft të mirë, duke na lënë shumë pak hapësira dhe shanse. Kemi vuajtur shumë veçanërisht në pjesën e parë, ndoshta kemi qenë me fat në ndonjë moment të caktuar. Në pjesën e dytë jemi përmirësuar ndjeshëm, kemi krijuar mundësi, kemi shpërdoruar një penallti, por në fund ia kemi dalë”, ka deklaruar Ançeloti.
Trajneri i Realit të Madridit ka folur edhe për dëmtimin e Viniciusit.
“Ai donte të vazhdonte, nuk ishte një gjë shumë e rëndë. Ai u përpoq, e shqetësoi pak dhe ne preferuam ta zëvendësonim për të mos rrezikuar”.
Ançeloti ka vënë në dukje edhe forcën e Realit, pavarësisht problemeve me mungesat.
“Kjo skuadër po tregon se është e kompletuar. Nëse ne mund të fitojmë pa Kurtuanë, pa Militaon, pa Viniciusin… Do të thotë se skuadra është mirë”.
PANORAMASPORT.AL