Sezoni i ri i Premier League, 2026/27, nis sot (e premte) me përballjen mes kampionit në fuqi, Arsenalit, dhe Coventry City, e cila zhvillohet nga ora 21:00. Edicioni i ri sjell edhe një sërë ndryshimesh të rëndësishme në rregullat e lojës.
Masat e reja synojnë të përshpejtojnë ritmin e ndeshjeve dhe të vendosin ndëshkime më të rrepta për vonesat, ndërsa ndryshimet prekin ndërprerjet e lojës, trajtimin e lëndimeve, zëvendësimet dhe përdorimin e VAR-it.
Ndryshe nga Kupa e Botës 2026, Premier League nuk do të aplikojë rregullin që parashikon ndëshkimin e lojtarëve për mbulimin e gojës me duar gjatë komunikimit. Gjithashtu, nuk do të ketë pushime të detyrueshme për hidratim.
Lojtarët do të kenë vetëm pesë sekonda për të kryer një rivënie anësore ose për ta rikthyer topin në lojë.
Nëse gjyqtari vlerëson se lojtari po vonon qëllimisht, do të nisë një numërim mbrapsht prej pesë sekondash. Në rast se afati përfundon, kundërshtari do të fitojë zotërimin e topit, ndërsa në situatat kur topi duhet të rikthehet në lojë nga portieri, mund të akordohet goditje nga këndi.
Një lojtar që merr trajtim për një dëmtim në fushë dhe shkakton ndërprerjen e lojës do të duhet të qëndrojë jashtë saj për një minutë, në vend të 30 sekondave sa ishte më parë.
Megjithatë, do të ketë përjashtime. Për shembull, rregulli nuk do të zbatohet nëse dëmtimi është shkaktuar nga një faull për të cilin kundërshtari është ndëshkuar me karton të verdhë.
Nëse një portier rrëzohet dhe shkakton një ndërprerje të lojës që gjykohet se është përdorur nga skuadra si një lloj pushimi taktik, trajneri do të duhet të zgjedhë një lojtar nga ekipi i tij për të lënë fushën për një minutë.
Procesi i zëvendësimit duhet të përfundojë brenda maksimumi 10 sekondave.
Nëse lojtari që po largohet nga fusha vonon në mënyrë të tepruar, zëvendësuesi nuk do të lejohet të hyjë menjëherë dhe skuadra do të duhet të luajë me një lojtar më pak për një minutë.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me VAR-in. Për herë të parë, teknologjia do të mund të ndërhyjë në raste që lidhen me kartonin e dytë të verdhë.
VAR-i mund të përdoret nëse kartoni i dytë i verdhë është dhënë për një gabim të qartë, për shembull kur nuk ka pasur fare faull. Megjithatë, VAR-i nuk mund t’i kërkojë gjyqtarit t’i japë një lojtari kartonin e dytë të verdhë nëse arbitri nuk e ka ndëshkuar fare me të.
Gjithashtu, VAR-i do të ketë mundësi të ndërhyjë në rastet kur një faull në sulm ka ndodhur para një ndërprerjeje dhe aksioni pasues përfundon me gol, penallti ose një masë tjetër disiplinore.
Me këto ndryshime, Premier League synon të reduktojë vonesat dhe ndërprerjet e panevojshme, duke e bërë lojën më të shpejtë dhe më dinamike.