Do të ketë ndry shime të mëdha në Premier Ligë këtë sezon, duke përfshirë kualifikimet në Europë dhe ligjet e reja rigoroze. Kampionati më spektakolar i Europës rikthehet sonte mbrëma, me fituesit e tripletës Mançester Siti që viziton Bërnlejn e ngjitur këtë sezon. Premier Liga premton një tjetër sezon magjik, ndërsa vjen si gjithnjë me shumë risi, 10 prej të cilave meritojnë vëmendjen më të madhe.
EKIP I RI NË QYTET – Luton do të bëhet skuadra e 51-të e ndryshme që do të luajë në Premier Ligës që kur elita e kampionatit anglez u riformatua në 1993-94.
TOPA TË RINJ – Lojtarët do të godasin një top të ri këtë sezon, “Nike Flight” është sfera me vija të zeza dhe njolla portokalli mbi të. Një kon i mbushur me topa do të qëndrojë në mes të fushës, me dy pankinave të skuadrave.
NUMRAT DHE PËRMASAT E GËRMAVE – Premier Liga ka bërë ridizenjimin e katërt të përmasave zyrtare të numrave dhe emrave në fanellë. Të gjitha klubet duhet të përdorin të njëjtin përmasë gërme dhe nga ky sezon do të jenë më të trasha dhe numrat më të mëdhenj. Në mëngët e fanellave do të ketë gjithashtu një stemë të luanit të Premier Ligës.
ARBITRAT – Tim Robinson dhe Darren Bond janë gjyqtarët e rinj me kohë të plotë pas daljes në pension të Andre Marrinerit sezonin e shkuar.
MINUTAT E SHTESËS – Të gjitha ndalesat e lojës, përveç atyre për ndëshkimet me kartonë, duhet të llogariten “saktësisht” nga zyrtarët e ndeshjes. Shefat e arbitrave të Premier Ligës presin që kjo të sjellë një mesatare prej diçka më pak se 12 minuta kohë shtesë për ndeshje, duke e kaluar minutazhin e 100 minutave për ndeshje. Shtesa rekord ka shkaktuar shumë potere, me Kevin de Bryjnen dhe Rafael Varanin, dy lojtarët e parë që e kanë kritikuar vendimin, ndërsa Pep Guardiola gjithashtu ka folur me nota kritike mbi këtë ndryshim.
INTERPRETIMET e rregullave – Dy ndryshime të mëdha të rregullave do të zbatohen këtë sezon. Futbollisti që do të gjykohet “se lufton për topin” kur ai “mohon një mundësi të pastër shënimi goli” në zonë, do të ndëshkohet vetëm me karton të verdhë, edhe në rast se ai nuk po tenton që të luajë për topin. FIFA dhe IFAB kanë sqaruar gjithashtu atë që tani konsiderohet “lojë e qëllimshme” nga mbrojtësit në lidhje me pozicionin jashtë loje. Nëse një lojtar konsiderohet se është në kontroll të pasimit, tenton të fitojë topin ose e spastron atë, kjo do të konsiderohej një “lojë e qëllimshme” dhe sulmuesi që është në pozicion jashtë loje nuk duhet të penalizohet për pozicion jashtë loje. Një veprim i pasaktë ose i pasuksesshëm nuk e ndryshon faktin që mbrojtësi “luajti qëllimisht” për topin.
SHTRËNGIMI për disiplinën – Rregullat e reja të ashpra për lojtarët dhe trajnerët përfshijnë kartonë të verdhë për çdo humbje kohe dhe pezullim automatik pas çdo tre kartonëve të verdhë për çdo trajner apo menaxher. Kartoni i verdhë duhet të dalë nga xhepi i arbitrave në rast se dy apo më shumë futbollistë rrethojnë një zyrtar. Përdoret një stekë më e ulët vlerësimi për rastet e mospajtimit, siç ishte ai i trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta, në finalen e Superkupës së Anglisë, pasi trajneri spanjoll u ndëshkua me karton të verdhë në pjesëne parë pasi bëri me shenjë për një karton imagjinar dhe protestuar kundër një vendimi të arbitrit Stjuart Atuell.
VAR-i – Dy kamera shtesë VAR në secilin skaj do të nënkuptojnë fundin e të ashtuquajturave “pika të verbra”. Kjo duhet të ndihmojë me vendimet e vështira për pozicionet jashtë loje.
Pushimi dimëror – Pushimi dimëror është rikthyer, ndoshta vetëm për një sezon, me një grup të plotë prej 10 ndeshjesh të ndara në dy fundjava në mes të janarit, për t’u dhënë lojtarëve një pushim të garantuar. Është koha që sulmuesi i Mançester Junajtidit, Antoni Marsial, t’i nxjerrë ato dorezat e dimrit.
Vendi i pestë në Champions – Skuadra që do të renditet e pesta në klasifikim ka të ngjarë të marrë një vend automatikisht në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Por kjo do të ndodhë vetëm në rast se ekipet angleze janë fitueset e dy prej tre kompeticioneve të UEFA-s. Ka shumë gjasa të ndodhë, sepse kështu ka qenë në 6 apo 7 sezonet e fundit, ndërsa sezonin e kaluar, si Liga e Kampionëve ashtu edhe Liga e Konferencës u fituan nga skuadrat Premier Ligës, Siti dhe Uest Hemi.
ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL