Kilië Mbape është një lojtar i Realit të Madridit, teksa më 16 korrik firmosi një kontratë 5-vjeçare me klubin spanjoll.Një ëndërr që ai kishte që në fëmijëri dhe që ka nisur të materializohet pak ditë më parë kur ai bëri dhe prezantimin përpara 80 mijë të pranishmëve në “Bernabeu”. Kanë kaluar tri ditë nga ai moment dhe kapiteni i Francës ka dhënë tashmë intervistën e tij të parë si lojtar i ri i Realit të Madridit.
Ishte në “Realmadrid TV”, televizioni zyrtar i klubit, në të cilin ai foli për mbërritjen e tij në klubin për të cilin ka qenë tifoz që i vogël. Një ëndërr që sot është realitet, siç thotë ai në intervistë. Por dhe një premtim i madh për presidentin Perez që gjithë këto vite ka bërë gjithçka për ta sjellë atë në Madrid.
Çfarë do të thotë të luash për Realin e Madridit?
Kjo do të thotë shumë për mua. Për shumë vite, që kur isha fëmijë, e kam pasur këtë ëndërr të luaj për Madridin. Më pas ishte një objektiv, sepse kur isha profesionist gjithmonë kisha synimin të arrij këtu. Dhe tani kam një ëndërr tjetër: të jem kulmi i historisë së këtij klubi, më i miri në botë, dua të jap gjithçka për këtë fanellë dhe këtë stemë.
Çfarë keni menduar kur keni parë nga afër kabinetin e trofeve të Realit dhe ato 15 Champions?
Është e pabesueshme. Hyrja këtu, në dhomën e klubit më të mirë në botë, është një kënaqësi dhe një nder për mua. Mezi pres të shoh të gjithë, lojtarët dhe të luaj. Sigurisht të shohësh gjithë këto trofe është treguesi më i qartë se për çfarë po flasim, për çfarë klubi.
Pa diskutim, një nga personat më të rëndësishëm që ka ndikuar në ardhjen tuaj në Madrid ka qenë presidenti Perez…
Ai është një person shumë i rëndësishëm për mua, që nga dita e parë që më besoi dhe më ndihmoi mua dhe familjen time. Kjo më shkon drejtpërdrejt në zemër. Do të bëj gjithçka, brenda dhe jashtë fushës, për ta bërë atë të lumtur. Për mua ai është presidenti më i mirë në botë.
Para 12 vitesh vinit në “Bernabeu” si fëmijë, tani do të jetë krejt ndryshe…
Mbaj mend që isha fëmijë dhe se kisha ëndrrën për të arritur në Madrid. Nuk mendoja të luaja, mendoja vetëm të shihja lojtarët. Është e pabesueshme që, pak më shumë se 10 vjet më vonë, jam këtu si një lojtar.
Cili është premtimi i Mbapesë për tifozët e Realit të Madridit, me të cilët raportet jo gjithnjë kanë qenë pozitive?
Unë do të bëj të pamundurën, do të jap jetën për këtë stemë dhe këtë klub.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL