Presidenti i FSHF, Armand Duka, zhvilloi sot një takim zyrtar me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. Në këtë takim, Presidenti Duka u shoqërua nga Drejtori Administrativ i FSHF-së, Aldi Topçiu.
Presidenti Duka e uroi Ministrin Gonxhja për detyrën e re dhe i shprehu gatishmërinë e FSHF-së për të bashkëpunuar ngushtë me institucionin e tij në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të futbollit në vend.
Gjatë takimit, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar prezantoi vizionin e Federatës për zhvillimin e futbollit dhe sportit shqiptar, duke theksuar arritjet e rëndësishme të viteve të fundit si sukseset e Kombëtares, organizimi i finales së UEFA Europa Conference League në Tiranë, organizimi i Euro U17 2025 dhe bashkëorganizimi i Euro U21 2027 me Serbinë.
Gjithashtu, u theksua se sporti është një motor zhvillimi ekonomik, social e kulturor dhe kërkon një bazë ligjore solide për një të ardhme të qëndrueshme. Në këtë kuadër, ai kërkoi mbështetjen e Ministrisë për një reformim ligjor që të garantojë autonominë e sportit, lehtësira fiskale për investimet dhe një angazhim më të madh institucional për zhvillimin e futbollit dhe sportit shqiptar.
Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe mirëkuptimi, duke konfirmuar vullnetin e përbashkët për të forcuar më tej lidhjen mes institucioneve dhe për të çuar përpara projektet për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në vendin tonë.