Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha këtë të martë se Kupa e Botës për Klube 2025 do të jetë “fillimi i diçkaje historike” që do të ndryshojë futbollin për mirë dhe theksoi se të ardhurat që gjeneron do të investohen “në futbollin e klubeve në të gjithë botën”.
“Po flasim për diçka që nuk është parë kurrë më parë. Kupa e Botës për Klube e vitit të ardhshëm do të sjellë magjinë e një Kupe Botërore të një ekipi kombëtar në nivel klubesh,” tha Infantino në një mesazh të regjistruar që ai dërgoi në ‘Olé Sports Summit’ që po mbahet këtë javë në Buenos Aires.
“Ky turne do të jetë fillimi i diçkaje historike, diçka që do të ndryshojë sportin tonë për mirë dhe për të gjithë brezat e ardhshëm që do ta duan atë si ne,” tha ai për një garë që do të jetë “novatore, gjithëpërfshirëse dhe bazuar në merita.”
Infantino shpjegoi gjithashtu se FIFA “nuk do të mbajë asnjë euro” nga të ardhurat e turneut, të cilat do të investohen “në futbollin e klubeve në mbarë botën”, diçka që “do të sjellë solidaritet global në futbollin e klubeve për herë të parë”.
Kreu i FIFA-s u uroi fat klubeve të kualifikuara të Amerikës së Jugut dhe u emocionua për mundësinë e përballjes së drejtpërdrejtë mes Boca Juniorsit argjentinas dhe River Plate në fazat e fundit të kampionatit.
Edicioni i parë i Kupës së Botës për Klube do të fillojë më 15 qershor 2025 në stadiumin “Hard Rock”, në Miami, dhe do të përfundojë më 13 korrik, në stadiumin “MetLife”, në Nju Jork , vend ku do të zhvillohet finalja e Kupës së Botës 2026.