Interi e nis si favorit finalen e sotme ndaj Napolit, megjithatë në shkallët e stadiumit nuk do të jetë i pranishëm Stiven Zhang. Presidenti i Interit nuk gjendet në Riad dhe do të mungojë për herë të parë në një finale të skuadrës së tij, një rutinë në vitet e fundit për 31-vjeçarin.
Pavarësisht kësaj, Zhang ka qenë dje i pranishëm virtualisht, pasi ka pasur një telefonatë me video surprizë për lojtarët, trajnerin dhe stafin e tij, por edhe drejtuesit. Numri një zikaltër është lidhur drejtpërdrejt me dhomën në të cilën Inzagi zhvillonte takimin teknik dhe ka motivuar skuadrën për ndeshjen ndaj Napolit, para stërvitjes së pasdites.
Përveç motivimit për finalen, nuk kanë munguar as komplimentet për paraqitjen e bërë ndaj Lacios, pa harruar që në rast triumfi (trofeu vlen 8 milionë euro), Zhang do i japë 1.5 milionë euro shpërblim skuadrës.
PANORAMASPORT.AL