Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, bën thirrje për ndryshim të “rregullave të lojës dhe formateve të ligave” dhe argumenton se lojtarëve duhet t’u lejohet të luajnë për kombëtaret e tyre vetëm deri në moshën 23 vjeç.
Presidenti i Napolit mori pjesë në “National Italian American Foundation Gala” në Uashington të dielën, ku ndau mendimin e tij dhe ofroi zgjidhje të mundshme për numrin gjithnjë në rritje të ndeshjeve që luhen çdo sezon.
“Evropa duhet të ndryshojë, sepse ka ardhur koha,” tha De Laurentiis për “Class CNBC”.
“Drejtuesit e futbollit hezitojnë të ndryshojnë sepse kanë frikë të humbin karrigen. Në të cilën ulen shumë, shumë rehat. Por ka ardhur koha të ndryshohen si rregullat e lojës, ashtu edhe formatet e ligave. Ka shumë ndeshje, dhe mendoj se futbollistët nuk do të jenë më në gjendje të luajnë 50, 60 apo 70 ndeshje në sezon”, vazhdoi De Laurentiis.
“Ata nuk e kanë kuptuar se duhet të ketë një kufi për lojtarët ndërkombëtarë. Pasi të kesh mbushur 23 vjeç, nuk duhet të shkosh më me kombëtaren, sepse duhet të zbulohen të rinjtë. Nëse luan edhe me ata që janë mbi 30 vjeç dhe ata lëndohen, po i jep një goditje të rëndë kampionateve vendase, dhe nuk ka respekt për këto liga. Për më tepër, nuk ka një pagesë të mjaftueshme për huazimin e një lojtari që, për 12 muaj, paguhet nga klubet. Edhe kjo duhet të rregullohet”, shtoi ai.
Napoli i De Laurentiis ndodhet në vendin e dytë në tabelën e Serie A, vetëm një pikë prapa kryesuesve.
Të shtunën e kaluar, ata pësuan një humbje 1-0 në transfertë ndaj Torinos dhe nesër, të martën më 21 tetor, do të vizitojnë PSV Eindhoven në raundin e tretë të Ligës së Kampionëve.
De Laurentiis bleu Napolin në vitin 2004 pasi klubi kishte falimentuar.
Brenda tre sezonesh, Napoli u ngjit nga Serie C1 (liga e tretë) në Serie A.
Në tre sezonet e fundit, Napoli ka fituar dy tituj kampion të Serie A, nën drejtimin e Luciano Spallettit dhe Antonio Contes.