Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, ka treguar edhe njëherë se është mjeshtër në prezantimin e lojtarëve të rinj që u bashkohen të bardhëve.Kështu ka bërë dhe gjatë prezantimit të sulmuesit brazilian Endrik. Ai i ka kujtuar mbarë botës se kush dhe çfarë përfaqëson Reali i Madridit. Ai ka me çfarë të mburret, sepse është muzeu i trofeve të klubit “merengues” që vërteton gjithçka.
“Ky (Reali i Madridit) është vendi i gjërave të pamundura me të cilat dashurohen të gjithë tifozët e futbollit. Këtu jetoni emocione të përjetshme dhe këtu janë 15 Kupat e Europës, që janë simboli i historisë sonë dhe që na bashkojnë me miliona njerëz në botë”, deklaroi presidenti i Realit të Madridit. Por Perez nuk u mjaftua me kaq. “Ne jemi më të dashur dhe më të admiruar në botë. Gjithçka që kemi arritur ka qenë me punë, respekt, modesti dhe sakrificë. Dhe këto vlera që Bernabeu dhe mitet e mëdha si Di Stefano, Gento, Pushkash, Amancio dhe Pirri na mësuan janë ato që i transmetojmë brez pas brezi. Jemi në një nga ciklet më të rëndësishme të fitoreve në historinë e Madridit dhe të futbollit botëror, por ju e dini se çfarë është Reali i Madridit…”, deklaroi presidenti Perez duke lënë të kuptohet se të fituarit është një “sëmundje kronike” në Madrid.
PANORAMASPORT.AL